Misteri i Luginës së vd.ekjes: Gurët ecin sikur njerëz


Në pafundësinë e bjeshkëve amerikane gjendet Shtegu i garës në parkun kombëtar Lugina e vd.ekjes. Nuk është ai shteg i vërtetë, sepse në të ndalohen automjetet, po nëpër liqenin e tharë ‘garojnë’ disa garues të tjerë.
Në Shtegun e garës, rolin kryesor e kanë gurët. Dhe jo çfarëdo gurësh, por gurët misteriozë që rrokullisen.

Gurët dolomitë

Gurët janë të shpërndarë nëpër pjesën jugore të liqenit të tharë, e cila tash e mban emrin Shtegu i garës, ndërsa ekzistojnë shënime për gurët e larguar edhe njëqind metra nga bregu i liqenit të dikurshëm. Shumica e gurëve megjithatë ndodhen në afërsi të shkëmbinjve më të mëdhenj, prej të cilëve janë shkërmoqur. Më së shpeshti bëhet fjalë për gurë dolomitë, të cilët me shumicë gjenden në blloqe më të mëdha. Supozohet se rrjedhin nga një shkrep i lartë rreth 200 metra që e rrethon bregun lindor.

Për herë të parë gurët lëvizës janë zbuluar në vitin 1915, kur një hulumtuesi nga Nevada e ka vizituar Shtegun e garës. Vite më vonë, gjeologët Jim McAllister e Allen Agnew kanë bërë harta të detajuara të fundit të liqenit dhe lëvizjes së gurëve. Në vitin 1948 kanë publikuar raportet e para mbi “gurët që lëvizin”, por nuk kanë treguar për gjurmët e lëvizjes së tyre dhe nuk kanë paraqitur hipoteza mbi shkaqet e krijimit të gjurmëve. Mirëpo, siç ndodh gjithmonë, është krijuar kontradikta mbi shkaqet e krijimit të gjurmëve dhe është bërë debat se a lëvizin fare ata gurë apo janë ato vetëm gjurmë të erës.

Gjatë viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar kanë filluar edhe hulumtimet e para mbi krijimin e gjurmëve dhe shkaqet e lëvizjes së gurëve. Shumica e teorive i kanë fajësuar erërat e forta. Në fakt, shkencëtarët kanë besuar se erërat e forta i shtyjnë gurët kur trualli është i lagësht, gjë që lë gjurmë të thella në baltën, e cila thahet pastaj.

Hulumtime intensive

Hulumtimet ekstensive kanë filluar vetëm në të shtatëdhjetat e hershme, kur Bob Sharp e Dwight Carey kanë filluar me vëzhgime. Ata kanë shënuar 30 gurë dhe e kanë përcjellë lëvizjen e tyre për shtatë vjet. Njëra prej teorive të lëvizjes së gurëve ka qenë edhe hipoteza e akullit. Në fakt, supozohej se shtresat e akullit rreth gurëve mundësojnë lëvizjen e gurëve, kështu që Sharp e Carey i kishin rrethuar me shufra çeliku disa gurë. Mendonin se rrethoja e tillë do të ngadalësojë apo të orientojë lëvizjen e gurëve. Mirë, pothuaj se nuk ka pasur kurrfarë ndryshimi.

Madje dhjetë gurë të shënuar kanë lëvizur gjatë dimrit të parë, ndërsa guri i quajtur Mary Ann është zhvendosur për 65 metra. Në fund të hulumtimit shtatëvjeçar vetëm dy gurë nuk kanë lëvizur. Guri i përcjellë më së paku, Nancy, ka lëvizur më së shumti dhe gjatë hulumtimit e ka kaluar distancën prej rreth 260 metrash.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar shkencëtarët me kamera i kanë përcjellë gurët dhe është krijuar teoria se rreth gurëve krijohet akulli, i cili vepron si një trap. Pllakat e tilla të akullit i ngrenë gurët dhe kështu e zvogëlojnë fërkimin mes truallit e gurëve. Erërat e forta, të cilat në dimër arrijnë shpejtësi edhe deri në 140 km në orë, i lëvizin më lehtë ata gurë.

Mirëpo, në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014, hulumtuesit për herë të parë kanë shënuar lëvizjen e gurëve. Në disa gurë kanë vënë GSP dhe kështu kanë mundur të dinë saktësisht se ku e sa po lëvizin. Kanë përfunduar se gurët lëvizin në situatat kur fillon të shpërbëhet veli i akullit në tokë. Atëherë mjafton të fryjë edhe një erë e lehtë që gurët të lëvizin.