Mero Baze: Rama negocioi 48 orë me Xhafajn për ta mbajtur me çdo kusht në qeveri


Nga Mero Baze – Fatmir Xhafa i gjeti të gjithë papërgatitur.Fillimisht opozitën, e cila u betua se do shtrihej tek pragu i zyrës kur të futej për herë të parë dhe për herë të dytë dhe nuk e kishte mendjen fare kur doli vet.

I vendosur nën një sulm të pamëshirshëm dhe të pandershëm, rreth një historie të vjetër të vëllait të tij, ai u ndihmua si nga zoti, me dorë të opozitës, e cila për ta bërë më shpërthyese situatën, fabrikoi në bashkpunim me SHISH e politizuar dhe disa figurantë që vetquhen gazetarë, telenovelën “Babalja”. Pas 7 muajsh hetime dhe zbardhje të së vërtetës, Fatmir Xhafa arriti të provoj se qënia e tij në pushtet, nuk i ka shërbyer për asgjë historisë së vëllait të tij, i cili ndërkohë u kthye të shlyej formalitetin e një dënimi nga gjykata italiane në vitin 2002.

Fatmir Xhafa trazoi plot ujëra dhe brenda pushtetit. Goditja e menjëhershme e grupeve që merreshin me klutivim hashashi, dhe superaksioni i fundit, i cili çoi në pranga një grup me lidhje kriminale në Shijak, i afërt me një parti opozitare në koalicion me Bashën, si dhe dy ish deputetë socialist, dhe i ktheu policisë autoritetin dhe fuqinë e goditjes ndaj krimit dhe korrupsionit.

Ndërkombëtarët të cilët pamvarësisht përbaltjes nga opozita, e kishin Fatmir Xhafën një nga njerëzit e tyre më të mbështetur në qeveri, u gjendën po ashtu të befasuar nga ikja e tij. Pa asnjë rezervë ndaj tij dhe me mbështeje të deklaruar publikisht, ata ishin të bindur se ajo zyrë kishte njeriun e duhur.

I vetmi shpjegim real për ikjen e Fatmir Xhafës nga Ministër i Brendëshëm, është se ai iku kur deshi vet.

Edi Rama ka negociuar 48 orët e fundit qëndrimin e tij me çdo kusht në qeveri, duke u përforcuar në këtë mision të pamundur edhe nga kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi, por duket se Xhafa kishte marrë vendimin e tij.

Zelli i Edi Ramës për ta pasur me çdo kusht në zyrë motivohej dhe nga fushata e re të goditjes së grupeve kriminale dhe betejës ndaj të “fortëve”, Ministria e Xhafës, kish marr mbështetjen e kryeministrit për të përgatitur një paketë ligjore për forcën që duhej treguar ndaj këtyre grupeve. Revanshi i shtetit ndaj krimit të rrugës dhe bandave, filloi të ndjehej në superaksionin e fundit dhe Fatmir Xhafa u largua në kumin e saj, si për të provuar se i kishte të gjitha mundësitë të ishte një Ministër i vërtet dhe se askush nuk kish mundur ta gjunjëzonte.

Njeriu që udhëhoqi procesin e vështirë dhe plot humnera të Reformës në Drejtësi, me një mbështetje konstante të Uashingtonit dhe Brukselit, mund ta mbyllte karrierën e tij i qetë, pas asaj historie, duke lënë pas një histori suksesi profesional në politikën shqiptare. Dhe me aq sa bëri në Reformën në Drejtësi, urrrejtjen e opozitës e kishte fituar të plotë.

Por emërimi prej tij Ministër i Brendëshëm nga Edi Rama, në kulmin e një krize raportesh me ish Ministrin Saimir Tahiri dhe fillimi i një baltosjes nga opozita kundër tij, ishin ato që shtynë Fatmir Xhafën ti rezistonte përbaltjes së opozitës dhe të priste momentin e zbardhjes të së vërtetës, për të ikur.

Fatmir Xhafa iku nga një zyrë në të cilën deshën ta përbaltin për diçka që ai nuk ishte përgjegjës. Muaj më pas, kur e vërteta është në prokurori, kur ka filluar hetimi penal ndaj atyre që fabrikuan çështjen, dhe kur në vend të tij janë disa opozitarë të marrë të pandehur, kur policisë i është kthyer dinjiteti dhe fuqia ligjzbatuese, ai vendosi ti lërë të gjithë në hamendjet e veta dhe të ik në shtëpi.

Në historinë politike të tridhjetë viteve, nuk kam parë asnjë ministër ta vuaj kaq shumë emocionalisht atë histori përbaltje si ajo që ju bë atij dhe dukej sikur rrinte ministër, vetëm duke pritur ditën që të provonte ligjërisht se balta e hedhur mbi të, ishte një krim penal i opozitës.

Sot në wikendin e parë të lirë, si ministër dhe politikan, tërbimi i opozitës për ikjen e tij, lexohet lehtë. Lulzim Basha thotë ”fitore” për ikjen e njeriut më të besuar të faktorit ndërkombëtar në Shqipëri, dhe duket sikur inatin nuk e ka me të, por me Brukselin dhe Uashingtonin që e mbështetën deri në fund.

Sali Berisha, si një kukudh i lig, fillon e lexon filaxhanin përse ka ikur, duke lëshuar fantazinë e njeriut të rrjedhur.

Të tjerë bëjnë lidhje pa lidhje, me Saimir Tahirin, një tjetër viktimë e përbaltjes i cili thjesht kish njoftuar dhe po ashtu e kish tërhequr njoftimin një ditë më parë, se do të bëj publike përfundimit e hetimeve ndaj tij në shtetin fqinj Itali, ku rezulton i pastër dhe ku balta e opozitës është një tjetër krim.

Të tjerë shpikin grupe dhe kulisa brenda PS, duke i ndarë kampet e të hidhëruarve dhe të gëzuarve.

Në fakt Fatmir Xhafa iku për llogari të vetat si qytetar, si politikan dhe si një zyrtar që i doli zot detyrës së tij. Iku kur desh vet, siç ikin të gjithë ata që e kanë veten në dorë.

Gazeta TemA