Lindi fëmijë me punonjësin e ambasadës amerikane, shqiptares i ndodh gjëma kur ai zhduket


Nuk është ndonjë skenar hollivudian, por është drama e Orjana Këllezit, e cila vetëm 32 vjeçe por ka humbur thuajse të gjithë familjen dhe tani rrezikon të humbasë edhe të birin 7 muajsh.

Vëllai i Orjanës ka bërë vetëvrasje, pas një viti nëna e saj mbyti veten pranë Liqenit Artificial në Tiranë dhe pa kaluar shumë kohë babai i saj vdiq nga konsumimi i tepërt i alkoolit në kushte ende misterioze. Skënderi, babai i Orjanës, u gjet në morg pas 6 muajsh që kishte humbur çdo kontakt me të.

Historia e Orjanës është bërë publike sot në emisionin “Me zemër të hapur” dhe 32-vjeçarja tashmë ka vetëm një vëlla i cili endet rrugëve dhe nuk ka askënd në këtë botë. Pas humbjes së njerëzve të dashur ajo emigroi në Itali, ku u dashurua me një shtetas italian, Igor Sterbizi me të cilin ka lidhur dhe kurorë. Jetuan në shtetin italian për disa kohë dhe kur Orjana do kthehej në Shqipëri për të ribërë disa dokumente, bashkëshorti i mbylli telefonin dhe nisi një bashkëjetesë tjetër.

Përmes një lidhjeje telefonike Orjana tha në emision:

Unë jam martuar në Itali në vitin 2014 në 11 gusht. Akoma jam e martuar por nuk ma jep divorcin. Shteti italian më ka dhënë një ekspuls sepse kam kaluar kohën prej 3 muajsh dhe kur erdha për të bërë disa dokumente në Shqipëri, burri im nisi bashkëjetesën me një grua tjetër.

Unë mendoja se nuk mund të bëja fëmijë. Nuk e prisja të ngelja shtatzënë. Shkoja në banesën e Polit, e kishte përballë liceut. Kur ai ikte në punë i pastroja shtëpinë, laja rroba, i hekurosja rrobat. Kur mbeta shtatzënë dhe i tregova ai u zhduk. Shkova tek banesa e tij por roja i pallatit më tha se nuk banonte më aty. Nuk e di ku është tani.”

E pashpresë, në muajin e 7-të të shtatzënisë, Orjana niset drejt Piacencës Itali, ku dëshironte të rinovonte letrat pasi zyrtarisht ajo figuronte e martuar me shtetasin italian. Pas dy ditëve qëndrimi në hotel e zënë dhimbjet e parakohshme, shtrohet në spital atje dhe pas dy muajve sjell në jetë djalin. Strehohet nga shërbimi social në këtë vend si dhe gjen mbështetjen e motrave Nënë Tereza.

Por aty ku mendoi se gjithçka po shkonte mirë, aty shkatërrohet gjithçka.

Më datën 8 maj asaj i kanë marrë djalin në shërbimin social dhe nuk ia japin me pretendimin se 32-vjeçarja nuk është e aftë ta rrisë.

Orjana apelon:

Fëmijën ma kanë marrë në maj dhe nuk më lënë ta shoh më. Në 8 maj unë dola me djalin dhe më qëlluan në kokë e përfundova në spital. Kur dola nga spitali fëmijën e kishte marrë asistentja sociale dhe tani nuk ma lënë më sepse thonë jam e papërshtatshme. Nuk e di ku është djali. Më kanë thënë që është në komunitet por nuk e di ku është. Nga psikologja e qendrës është bërë një raport pozitiv për mua, por nuk është marrë parasysh. Unë kujdesesha për djalin dhe deri atë ditë nuk ishim ndarë kurrë. Djali im ka edhe disa probleme shëndetësore dhe kujdesesha në maksimum për të. Jam e pashpresë. I bëj apel shtetit shqiptar pasi nuk kërkoj asgjë, vetëm të më ndihmojnë të marr djalin.”