Kuvendi nuk toleron/ Bojkotuan punimet, deputetëve të opozitës iu mbahet rroga


Opozita ka bojkotuar çdo seancë parlamentare që prej nisjes së sesionit, por braktisja e pjesshme e Kuvendit ka nisur që më parë. Por pavarësisht se bëhet fjalë për vendime politike, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka vendosur që të zbatojë rigorozisht rregulloren dhe ligjin edhe sa i përket pagesës së deputetëve opozitarë. Kështu të gjithë deputetët e opozitës po përballen në këto kohë me mbajtjen e pagës për sa kohë që nuk frekuentojnë jetën parlamentare.

Vetë institucioni i Kuvendit ka publikuar në faqen e tij në internet të dhënat mbi listëpagesat e deputetëve gjatë muajit korrik, pagesa që merren gjatë muajit gusht. Sipas këtij dokumenti zyrtar të gjithë deputetët opozitarë kanë pasur penalitete që shkojnë deri në gjysmën e pagës. Kjo në varësi të mungesave që ka marrë secili prej tyre në mbledhjet e seancave plenare dhe në mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe të posaçme.

Listën e deputetëve të pakicës parlamentare që kanë bërë më shumë mungesa e kryeson Lefter Koka me 11 mospjesëmarrje në seanca plenare dhe në mbledhjen e komisionit ku bën pjesë. Për rrjedhojë atij i është mbajtur më shumë se gjysma e pagës që përfiton si deputet ose thënë me shifra konkrete 58,531 lekë të rinj. Lista pasohet nga deputeti tjetër i LSI-së, Agron Çela me 10 mungesa dhe të cilit i janë mbajtur nga paga 53.210 lekë të rinj.

Në vend të tretë të deputetëve të opozitës që ka braktisur më shumë herë Kuvendin, është Edi Paloka me 9 mungesa. Si pasojë e mospjesëmarrjes në seancat plenare dhe në komisione Palokës i janë mbajtur 47,889 lekë. Më pas vjen deputetja demokrate Rudina Hajdari me 8 mungesa dhe të cilës i janë mbajtur 42,568 lekë. Lista vijon me të gjithë deputetët e tjerë opozitarë që variojnë nga 1 deri në 6 mungesa secili.

Në varësi të mungesave variojnë edhe penalitetet në paga. Natyrisht që bëhet fjalë për muajin korrik, ku opozita nuk kishte marrë ende një vendim për bojkot total të Kuvendit. Gjatë atij muaji kishim të bënim me një braktisje të pjesshme të institucionit të Kuvendit, teksa deputetët e opozitës vinin në sallë, debatonin dhe më pas gjatë momentit të votimit largoheshin. Situata financiare për xhepat e deputetëve të opozitës janë përkeqësuar gjatë dy muajve të fundit, pasi ajo ka vendosur bojkotin total të Kuvendit, çka do të thotë mbajtje e plotë e pagës së deputetit./gsh