Kjo është shqiponja më e veçantë për festat e Nëntorit, humanisti mysliman zbulon arsyen


Humanitari mysliman nga Kosova, Halil Kastrati ka vendosur që edhe këto festa Nëntori të gëzojë njëherësh 28 familje shqiptare.

Në një shqiponjë të gdhendur në një sfond të kuq, Kastrati ka varur 28 palë çelësa shtëpish.

Në Facebook ai shkruan:

Me ndryshe – Gezim i madh për te gjithë ne. Nesër gëzim i veçante për 28 familje!

28 pale çelësa te varura ne Shqiponjën dy krenare! Urime Shqipëri!”

Kush është Halil Kastrati?

Halil Kastrati është themelues i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, përmes së cilës ndihmon familjet në kushte të vështira ekonomike, familjet pa kulm mbi kokë dhe u gjendet pranë atyre që kanë nevojë për para që të kurohen nga sëmundje të rënda.

Me profesion, Halil Kastrati është teolog, por që tani i është përkushtuar vetëm shoqatës së tij humanitare.

Kastrati thotë:

Unë mendoj që kjo që ne jemi duke bërë e thotë edhe Islami. Mundohemi që ta praktikojmë atë që na e mëson Islami. Unë kështu jam edukuar – që të jem afër nevojtarëve ose ndonjë hallexhiu.”

Në një intervistë për “klan Kosova”, Halil Kastrati është shprehur:

Ta kthesh një lot mërzie në lot gëzimi është diçka e papërshkrueshme. Ndoshta kjo është edhe arsyeja e motivimit tonë për të mos u ndaluar, por që të zgjerohemi edhe më shumë që t’i gjendemi afër nevojtarëve. Kjo është arsyeja kryesore që na bën të mos ndalemi – është ushqim shpirtëror dhe përjetim i papërshkruar! Bashkë me ne është i tërë populli shqiptar, janë ata që po e bëjnë gjithë atë punë. Ne jemi vetëm urë lidhëse mes bamirësve dhe nevojtarit. Shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’ të gjitha donacionet i ka nga shqiptarët, brenda trojeve shqiptare, duke mos lënë anash mërgatën që ka bërë dhe po bën të pamundurën që t’i gjendet afër shqiptarëve. Falë Zotit, ne kemi një metodë të punës aq transparente sa secili shqiptar, edhe ai i cili nuk është donator, mund t’i shohë donacionet. Mos të flasim për ata që janë donatorë, sepse është e drejtë e tyre ta dinë se ku ka shkuar ndihma e tyre.”

Vetëm në tre vitet e fundit, Kastrati me anë të shoqatës së tij ka ndërtuar mbi 200 shtëpi për familjet e varfëra.

E fatmirësisht këtë frymë solidariteti dhe ndihme për të varfrit e gjejmë edhe në Shqipëri nga imami Elvis Naçi në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”.