Ish-ministri bëhet zyrtarisht pronar i gazetës “Zëri i Popullit”


Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri duket se po përgatit rikthimin e tij të bujshëm në skenën politike, të menduar deri në detaje dhe me bashkëpunime të forta mediatike.

Sikur të mos i mjaftonin disa media që dukshëm janë përkrahëse të tij edhe pas zhveshjes nga postet politike, së fundi Tahiri ka zyrtarizuar dhe median personale, që për sfidimin e të gjithëve ka emrin e kanalit zyrtar të socialistëve ‘’Zëri i Popullit”. Po me ndryshimin e vetëm se tashmë kjo media do të jetë online, dhe do ti shërbejë ish-ministrit për t’u katapultuar fuqishëm në skenën politike.

Duket se Tahiri i ka marrë të gjitha masat që media e tij të jetë dhe e licensuar dhe të ketë aktivitet të rregullt pasi në 13 shtator të këtij vitit ai e ka regjistruar dhe si biznes në QKR.

Në të dhënat e aksionerëve shihet se ish-ministri është i vetëm në këtë ndërmarrje mediatike, ndërsa ka dhënë dhe adresën e zyrës së tij që gjendet në afërsi të ish-komunës së Parisit, rruga ‘’Prokop Mima”.

Ditëve të fundit emri i tij është lakuar ndjeshëm për shkak se është përfolur për një përplasje nën rrogoz me Edi Ramën, ku dyshohet se Tahiri ka informacione që mund të fundosin personazhe të njohur në PS. Dje ai paralajmëroi një konferencë për mediat paraditen e sotme, po që në mënyrë të mistershme u anullua sot me lajmin e dorëheqjes së Fatmir Xhafajt, shkruan Faxëeb.al. I pyetur sot nëse konferenca e tij kishte lidhje me rastin Xhafaj, Tahiri u përgjigj se jo, dhe ato që ai do të komunikojë lidhen ngushtësisht me interesin publik.

Dy ish-ministrat e Edi Ramës janë të njohur për përplasjet e kahershme mes tyre, për shkak se Xhafaj e ka denoncuar publikisht kanabizimin e vendit teksa nën drejtimin e rendit ka qenë Tahiri. Mbetet të presim ditët në vijim për të parë përplasje të tjera mbi apo nën rrogoz të socialistëve.