Irma Libohova mes Iotësh, tregon mrekullinë që i ndodhi tri ditë pas humbjes së bashkëshortit


50 vitet në skenë, me një repertor të gjerë e të larmishëm, me hite pa kohë e me këngë që i këndon me të njëjtin emocion i madh e i vogël, nuk e kanë ndryshuar Irma Libohovën, përkundrazi.

Këngëtarja e njohur e skenës mbetet një prej artistëve që i ka ndërprerë marrëdhëniet me kohën, jo vetëm sepse i ka qëndruar besnike profilit të saj, por sidomos sepse këngët ia ka dedikuar një publiku që dashuron muzikën e mirë, tekstin poetik mbi pentagram, si edhe mesazhin që përcjell arti i saj.


Këtë pasdite, Irma Libohova ishte e ftuar te “Rudina” për të rrëfyer disa prej projekteve të saj të fundit, angazhimet artistike, por ndau me publikun edhe disa copëza nga jeta private, për të cilat flet shumë rrallë.

Rreth një vit e gjysmë më parë, bashkëshorti i Irmës u nda nga jeta, por këngëtarja vendosi të ngjitet në skenë vetëm pak ditë pas ndarjes së tij. Amaneti i tij që ajo ta vazhdojë rrugën e saj e bëri edhe më të fortë… Sepse kishte një qëllim për të përmbushur e për ta çuar deri në fund.


Kishin kaluar vetëm tri ditë kur Besniku u nda nga jeta dhe Irma mësoi një lajm tjetër të bukur. Një jetë sapo kishte ikur, por një tjetër do të vinte. I biri i dha lajmin se do të bëhej gjyshe dhe, pikërisht në atë kohë, nuk mund të kishte ndjesi më të ëmbël, megjithëse e shoqëruar me keqardhjen që bashkëshorti nuk e mësoi dot: “Të gjithë më kishin thënë që është një ndjenjë shumë e mirë, është kështu, është ashtu, por kur e provon vetë, është tjetër gjë, është e mrekullueshme, e papërshkrueshme”, – thotë Irma për ndjesinë e gjyshes, të cilën e shijon shumë, edhe pse nuk kalon aq kohë sa do të donte me mbesën e vogël.

Lule është emri me të cilin është pagëzuar mbesa e vogël dhe për këtë zgjedhje Irma tha se ishte dëshirë e të gjithëve: “Ishte një emër i harruar. Ne donim një emër shqiptar. Emri përfaqëson identitetin tënd”, – shton më tej këngëtarja.

Nëse mund të quhet peng ai i mungesës së një vajze, tani Irma thotë se ndihet e plotësuar, pa pengje dhe aspak e vetmuar: “E kam thënë edhe herë tjetër, jam vetëm, por jo e vemtuar”, – përsërit ajo duke i mbajtur lotët me zor.

“Një jetë me ty”, një nga hitet më të bukura të Irmës, që ajo ia kushtoi bashkëshortit, dëgjohet në sfond dhe ia risjell këngëtares edhe një herë kujtimet e njeriut të zemrës që e sheh nga lart: “Gjithmonë bashkë… Derisa unë të shkoj atje, do të jetë bashkë me mua”, – tha, dhe, edhe pse premtoi që nuk do të derdhë më lot, e pati të vështirë t’i përmbajë. Pse duhet ta bënte, në fund të fundit? Pas saj, edhe ata që e panë, u përlotën njëlloj me të./Class/