HISTORIA:I fejuari më vuri para zgjedhjes. Lër punën në Tiranë ose ndahemi


Jam 24 vjeçe, e diplomuar. Punoj në Tiranë në një vend pune që mund ta quaj të mirë. Jam fejuar para disa vitesh me një djalë nga qyteti nga i cili vij. I fejuari im jeton ende atje. Ngaqë familja e tij kishte biznes me fitime të larta, ai iu përkushtua biznesit dhe nuk e vazhdoi arsimin e lartë. Sot, kanë një biznes tjetër më të vogël në të njëjtin qytet pasi i pari dështoi.

Ai më kërkon të lë punën në Tiranë dhe të kthehem në atë qytet të vogël ku mundësitë që unë të gjej një punë tjetër janë thuajse zero. Unë i them që të vijë në Tiranë, pasi këtu mund të gjejë një punë më të mirë nga ajo që ka aktualisht. Perspektivat për ne janë më të mira në Tiranë.

Ai më ka vënë para zgjedhjes: të kthehem atje ose të ndahemi. Familja ime nuk është aspak dakord me këtë gjë. Nuk di çfarë të bëj. Të zgjedh dashurinë dhe të jetoj në atë vend të vogël pa asnjë mundësi apo të heq dorë dhe të vazhdoj jetën që kam.

Po më torturon ky vendim. Jam përpjekur të flas me të fejuarin, t’ia shpjegoj situatën, por ai i qëndron forëcërisht mendimit se atje mund të jetojmë më mirë, pasi ka prindërit dhe shtëpinë. Sipas tij, në Tiranë s’ka asgjë. Nuk po gjejmë dot një zgjidhje. Edhe pse duhemi shumë, ndonjëherë dashuria nuk mjafton.” – anonime