HABIT Artan Hoxha: Dorëheqja e Xhafajt kënaqi mazhorancën! Ministri po fuqizohej, godiste të vetët! Tahiri jashtë loje


Dorëheqja e ministrit Fatmir Xhafaj ka kënaqur të pakënaqurit brenda mazhorancës. Është kjo deklarata që bëri gazetari Artan Hoxha në Report Tv.

Sipas tij, Xhafaj me lëvizjet e tij po verifikonte akuzat e opozitës dhe po godiste të vetët.

“Sot ka kënaqur të pakënaqurit brenda mazhorancës që janë të shumtë. Nga brenda mazhorancës kishte zëra se ministri po fuqëzohej së tepërmi dhe nuk reagonte ndaj kundërshtarit por ndaj të vetëve, po verifikonte akuzat e bëra nga opozita”, tha Hoxha ndërsa shtoi se konferenca për shtyp e ish ministrit Saimir Tahiri, nuk ka lidhje me ikjen e Xhafajt.

“Konferenca për shtyp e Tahirit s’ka lidhje me Xhafajn, me sa informacion kam unë, ka lidhje me hetimin e tij në Itali dhe logjikisht nuk mund të ketë lidhje. Ne duam të sajojmë disa konflikte që në të vërtetë nuk shpërfaqen në këtë formë. Kryeministri ka vendosur ekulibrat, Tahiri është jashtë loje, por pret gjykimin”, u shpreh Hoxha.