Guardiola supervlerësim për Arijanet Muriqin: Është i jashtëzakonshëm


Arijanet Muriqi, i cili që prej ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve mbron ngjyrat e Kosovës, ishte heroi i mbrëmjes së djeshme për Manchester Cityn.

Portierit të Kosovës i është brohoritur emri në tribunat e tifozëve të Cityt në “King Power Stadium” të Leicesterit dhe portieri kosovar e ka shijuar këtë pasi edhe bashkëlojtarët e tij e kanë ngritur atë peshë.

Muriqi në ndeshjen e mbrëmshme priti dy penallti, penalltinë e Maddison dhe atë të mbrojtësit turk Soyuncu, duke dërguar Manchester Cityn në gjysmëfinale të Carabao Cup në Angli.

“Sezonin e kaluar Claudio (Bravo) ishte i jashtëzakonshëm, por këtë vit Aro (Arijaneti) është i jashtëzakonshëm”, ka thënë strategu spanjoll Pep Guardiola pas kualifikimit.

Kujtojmë se sivjet, Arijanet Muriqi ka luajtur të gjitha ndeshjet e Carabao Cup të Manchester Cityt, teksa është në rolin e portierit të dytë.

Muriqi pritet që të luajë edhe në ndeshjet e FA Cup që City do t’i zhvillojë gjatë muajit janar, por edhe në Carabao Cup ku skuadra e Guardiolës do të luajë në dy gjysmëfinale po ashtu gjatë muajin janar të vitit 2019.