/Emra agjentësh e targa makinash, ja çfarë “dekonspiron” SHISH-in

Emra agjentësh e targa makinash, ja çfarë “dekonspiron” SHISH-in

Disa ditë më parë sollëm lajmin e ekspozimit të të dhënave të ndjeshme, deri tek emrat dhe numrat e kartës së identitetit të disa agjentëve të Shërbimit Informativ Shtetëor.

Të dhënat janë publikuar në listëpagesat e kryera përgjatë vitit 2018 dhe ato mund të aksesohen edhe nga një person me njohuri bazë në fushën e kërkimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

Bëhet fjalë për rreth 230 dosje në formatin “Exel”, ku pasqyrohen pagesat e institucioneve qendrore dhe vendore përgjatë këtij viti. Mes këtyre institucioneve gjenden edhe shpenzimet e kryera nga Shërbimi Informativ Shtetëror për mirëmbajtje, logjistikë, fatura energjie dhe ujësjellësi e deri tek pagat, apo derdhjet që shenjohen si “pagesa speciale”.

Zbardhja e këtyre shpenzimeve për institucionet shtetërore është një detyrim në kuadër të transparencës. Por, kur kjo transparencë përfshin shërbimet inteligjente vendos në rr ezik jetën e agjentëve të fshehtë.

Ajo që vihet re nga një hulumtim i hollësishëm i listpagesave të dorëzuara nga Aparati Qendror i SHISH dhe nga drejtoritë në rrethe të këtij shërbimi është mosndjekja e një praktike të unifikuar.

Aparati Qendror, që ndodhet në Tiranë është treguar më i kujdesshëm në informacionin e dhënë për Ministrinë e Financave, megjithëse mes këtyre të dhënave ka adresa dhe numra llogarie bankare që fare lehtë mund të adresojnë tek personi marrës.

Nëpër rrethe, SHISH i Sarandës është më diskreti, ndërsa në Elbasan, Gjirokastër, Durrës, Lushnje, Lezhë, Vlorë e Korçë janë drejtoritë e shkujdesura, të cilat kanë bërë publike emrat dhe numrin e identifikimit të kartës së identitetit për agjentë, apo zyrtarë të tjerë që kanë lidhje me agjentët në terren.

Në Lezhë derdhen çdo muaj 13.2 milionë lekë të vjetra për agjentët me kohë të plotë dhe bashkëpunëtorët e shërbimit sekret, që në total në këtë rreth janë 18 të tillë. Ndërkohë, SHISH në Elbasan përdor pesë automjete dhe që të pesta gjenden të identifikuara me targa në dokumentet në fjalë.

Madje, po në këto dokumente janë zbuluar emrat e dy personave të këtij Shërbimi, ku një ka marrë pagesa si “shpenzim fatkeqësie” dhe një tjetër si “shpenzime të natyrës së veçantë”.

Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë burimet financiare që SHISH derdh për punonjësit ose bashkëpunëtorët e vet në terren për një apo disa misione të caktuara, që futen në kategoritë “e klasifikuara”.

Pavarësisht se pagesa në fjalë është bërë për një mision të tillë, emri i personit që e përfiton publikohet pa asnjë problem në faqet zyrtare të strukturave shtetërore.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Korçë dhe në Vlorë, por në të dyja këto raste është vetëm një emër që ka dalë publik. Në Lushnje pagesat më të mëdha janë kryer në adresë të një personi, që në këtë dokumentacion shfaqet me emër dhe mbiemër. Ky person ka përfituar rreth 10 milionë lekë nga SHISH për shërbimet e tij.

Të zbardhura dhe me emrat e personave në fjalë janë edhe pagesat e kryera për mirëmbajtje automjetesh, godinash, pajisjesh teknike dhe veglave të punës. Në këto raste nuk publikohen emrat e agjentëve, por publikimi i emrave të personave të tretë që kryejnë një shërbim në drejtoritë e SHISH, mund të dekonspirojë agjentët e tjerë.

Në të paktën një rast, në faqen e internetit të listpagesave është publikuar edhe emri i personit fizik që ka kryer kontrollin teknik të ashensorit në godinën qendrore të SHISH.

Ndërkohë, janë 5 transaksione të identifikuara nga gazeta “Si” si para të shpenzuara për udhëtime dhe shpenzime jashtë vendit. Tek këto transaksione nuk identifikohen personat përfitues, por jepen mjaftueshëm të dhëna që mund të zbulojnë këta persona, mes të cilëve edhe agjentë të maskuar në Beograd, Bruksel dhe Kosovë.

Duke cituar në kushte anonimati një agjent të CIA-s, ‘The Independent’ e cilësoi këtë një amatorizëm që bëhet në kuadër të ‘transparencës’, ndërsa i referohet edhe deklaratës, po në kushte anonimati të një zyrtari shqiptar të SHISH.

“Ne jemi të detyruar sipas rregullores së transparencës që të deklarojmë shpenzimet tona”, thotë ai për mediat prestigjoze britanike. Të dhënat e publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së Financave japin numrin e kartës së identitetit të punonjësve të SHISH, arsyet se përse janë derdhur paratë për llogari të këtyre personave përgjatë 2018, e deri tek ‘emri’ i koduar, ose emri i vërtetë i agjentit në terren.

Shpenzime të tjera të zbardhura janë edhe faturat e pritjeve dhe përcjelljeve të zyrtarëve të huaj që ndalojnë në Tiranë, apo dreka e darka në kuadër të ushtrimit të detyrës. Në këto listpagesa janë kryer disa transaksione. Në një rast del emri i Hotel Victoria, por edhe i restorantit “Sofra e Ariut” tek Rruga e Elbasanit, apo i “Green House”.

Duke hyrë në sistemin e Shqipërisë ata mund të futen në sistemin e NATO-s”, – tha për “The Independent” Xhemal Gjunkshi, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

Një ish-zyrtar i shërbimit të inteligjencës ka thënë për “The Independent” se faji për nxjerrjen e informacionit të ndjeshëm nuk është i SHISH, por i ministrisë, zyrtarët e të cilës nuk kanë leje sigurie. “Është paaftësi”, tha ish-zyrtari, i cili foli me kusht që të mos i publikohej emri.

“Ndonjëherë njerëzit nuk punësohen për shkak të performancës së mirë apo kualifikimeve, por për shkak të ndikimit të politikanëve. Ndonjëherë njerëzit që vijnë në institucionet e sigurisë nuk janë të mirë-kontrolluar. Problemi fillon që lart”.

Ligjet shqiptare ndalojnë rrjedhjen e informacionit sekret të shtetit, me gjoba deri në 10 vjet bu rg për zyrtarët që zbulojnë sekrete te shtetit dhe pesë vjet për qytetarët e zakonshëm.