/Ekspozohet harta e rrallë detare, vepra e gjallë e Skënderbeut (FOTO)

Ekspozohet harta e rrallë detare, vepra e gjallë e Skënderbeut (FOTO)

Në mbyllje të vitit jubilar mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në prag të festave të nëntorit, ekspozohet në Sallonin e Kryeministrisë Harta Detare Një, e njohur ndryshe si Carta Nautica Uno, një artefakt i rrallë historik, i realizuar në vitin 1455, nga kartografi gjenovez Bartolomeo Pareto.

Një mbrëmje speciale mes të ftuarve e personaliteteve të shquar nga bota akademike, kulturës, artit, medias, shoqërisë civile, trupit diplomatik, me praninë në këtë ceremoni të Kryeministrit, z. Edi Rama për të kujtuar edhe një herë jehonën e bëmave të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Carta Nautica Uno, e realizuar nga Bartolomeo Pareto për papën Nikolla V, vjen për shqiptarët nga Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës në Itali.

Harta mbart një rëndësi të veçantë historike sepse vizualizon elemente dekorative dhe shenjon vende me interes të posaçëm; rrëfen një bashkëkohësi ngjarjesh historike, në mënyrë të veçantë trysninë osmane në Europë, e posaçërisht në gadishullin e Ballkanit.

Veçmas aty, në hapësirën e Arbërit, shquhet një toponim i pazakontë “Scandrebeco”. Ky toponim i ngulët në qendër të hartës, përfaqëson jo vetëm një zbulim të mirëfilltë në rrafsh albanologjik por edhe një kontribut të paçmuar në zdritjen e personalitetit real të heroit arbëror Gjergj Kastriotit. Carta Nautica Uno do të ekspozohet për publikun deri më 15 dhjetor 2018.

Harta e siguruar nga Biblioteka Qendrore e Romës, është sjellë në Shqipëri nga Alberto Cutillo, ambasadori i Italisë dhe do të ekspozohet për dy javë në Qendrën për hapje edhe Dialog në Tiranë. Harta detare është realizuar në vitin 1455, nga hartografi gjenovez, Bartolomeo Pareto për Papën Nikolla V.

Gjatë fjalës së tij para prezantimit të hartës, kryeministri Rama dha lajmin se në katin e poshtëm të godinës së Kryeministrisë po ndërtohet muzeun historik i saj ku edhe do të vendosen të gjitha dhuratat e bëra.

Më tej, kryeministri Rama citoi Fan Nolin, i cili shprehej se nëse shqiptarët vërtetojnë dokumentarisht saktësinë e tri fushatave të sulltanëve të Krujës dhe dështimin e tyre atëherë ne kemi vërtetuar se gjithë historia e shkuar për Skënderbeun është e vërtetë.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1140982976080229/?t=0