/Derbi i Greqise, perleshje mes tifozërive të AEK dhe PAOK (Video)

Derbi i Greqise, perleshje mes tifozërive të AEK dhe PAOK (Video)

Kur kanë kaluar rreth dy muaj nga dita kur sfida PAOK-AEK nuk përfundoi për shkak të incidenteve, këto dy skuadra do të përballen sërish sot. Me kampionatin e fituar nga kryeqytetasit, në Athinë do të luhet sot finalja e Kupës së Greqisë, mes AEK-ut dhe PAOK-ut.

Ashtu siç pritej, trazirat kanë filluar që në orët e vona të së premtes dhe vijojnë ende në zona të ndryshme të Athinës. Sheshet Karaiskaqi dhe Kanigos, por edhe disa rrugë të kryeqytetit grek janë bërë arenë e përleshjeve mes tifozëve të AEK-ut dhe një pjesë të tifozëve selanikas që kanë udhëtuar që të premten në Athinë.

Ka mjaftuar një provokim i vogël ndaj tifozëve të parë të PAOK-ut, që mbërritën në Athinë, që më pas huliganët e AEK-ut ta shndërronin kryeqytetin në një arenë përleshjesh.

Policia kishte paralajmëruar më herët se kjo sfidë mund të prodhojë shumë tension dhe dhunë, ndërsa më kaotike situata mund të shndërrohet pasditen e sotme, kur nga Selaniku pritet të mbërrijnë rreth 200 autobusë me tifozë të PAOK-ut, të cilët pritet të jenë rreth 20 mijë në stadium.

Policia bëri thirrje edhe njëherë për qetësi dhe për të mos iu bashkuar prirjeve të dhunës, të udhëhequra nga huliganë që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin e sportit në Greqi.

Gjithsesi tensionet mes dy tifozërive janë të larta që prej ndeshjes së 11 marsit, kur presidenti i PAOK-ut, Ivan Savides u fut me armë në fushë në lojës, ndërsa edhe këtë javë para finales, të dy presidentët e klubeve kanë shkëmbyer deklarata të ashpra në adresë të njëri-tjetrit.

Paraprakisht mendohet se disa tifozë nga të dy kampet janë plagosur dhe po marrin ndihmën e parë, ndërsa janë shkatërruar edhe shumë prona të qytetarëve, si makina të parkuara apo vitrina dyqanesh.