/Blindohen kufijtë shqiptarë, SHBA merr nën kontroll pikat kufitare, skaner udhëtarëve

Blindohen kufijtë shqiptarë, SHBA merr nën kontroll pikat kufitare, skaner udhëtarëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të asistojnë autoritetet shqiptare për blindimin e kufijve, duke rritur maksimalisht kontrollin dhe sigurinë, për identifikimin dhe kapjen e çdo personi që ka probleme me ligjin brenda apo jashtë Shqipërisë.

Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektmarrëveshje mes Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal (PISCES), pikat e kalimit kufitar. Marrëveshja parashikon që SHBA do të instalojnë sistemin e ri për monitorimin e lëvizjes së udhëtarëve në pikat e kontrollit kufitar.

Sistemit PISCES do të instalohet fillimisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në vijim, instalimi i sistemit PISCES do të zgjerohet edhe në aeroporte apo pika të tjera kufitare, të caktuara nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sistemi i ri shton disa elemente sigurie të kontrollit në pikat e kalimit kufitar. Elementi kryesor është ai i të dhënave biometrike të cilat do të identifikojnë edhe raste të vështira për t’u zbuluar nëpërmjet sistemit aktual. Gjithashtu, instalimi i këtij sistemi do të shoqërohet me një rinovim të infrastrukturës, duke pajisur çdo punonjës me kompjuter, lexues dokumentesh, lexues gjurme gishti, kamera për kontrollin e fytyrës.

Këto të dhëna do të krahasohen me regjistrat e Interpolit dhe të FBI-së, duke dhënë një përparësi në zbulimin dhe ndalimin e personave të kërkuar në nivel ndërkombëtar. Qeveria e amerikane synon të kontribuojë në përgatitjen e infrastrukturës së ofruar nga qeveria e Shqipërisë, të nevojshme për instalimin dhe operimin e PISCES-it në mënyrë të vazhdueshme.

Sistemi do të shërbejë për përmbushjen e një ndër objektivave të Ministrisë së Brendshme, sigurimin e menaxhimit të integruar të kufijve.

Ministria e Brendshme
Ministria e Brendshme Shqiptare dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës synojnë të bashkërendojnë rishikime periodike në mënyrë që të inventarizohen dhe të përditësohen mjetet dhe pajisjet kompjuterike të siguruara nga SHBA për sistemin PISCES.

Ministria e Brendshme ka për qëllim të vendosë në punë, të administrojë dhe të mirëmbajë pajisjet e parashikuara për sistemin PISCES, posaçërisht për qëllimet e specifikuara në memorandumin e qëllimit dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale të garantuara si për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe shtetasit e huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe me marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen për zbulimin dhe ndalimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht.

Të dyja qeveritë synojnë të bashkërendohen përpara çdo transferimi apo zhvendosjeje të mjeteve dhe pajisjeve kompjuterike të PISCES.