/Analiza/ Shqipërisë i duhen 50 vite të bëhet si Gjermania

Analiza/ Shqipërisë i duhen 50 vite të bëhet si Gjermania

“Teoritë ekonomike dhe përvoja ndërkombëtare na tregojnë se vendet e vogla mund të pasurohen kur integrohen thellë në ekonominë globale. Integrimi ekonomik mund të lehtësojë qasjen në një gamë më të gjerë produktesh për konsumatorët, një grup më të madh punëtorësh të kualifikuar, burime shtesë të financimit dhe teknologjive të reja. Një treg më i madh, me një fushë të barabartë të lojës në të cilën mund të konkurrojnë të gjitha firmat, mund të shkundë industritë të kapura nga elitat lokale dhe politike, si dhe të inkurajojë inovacionin. Me fjalë të tjera, integrimi ekonomik mund të krijojë një mjedis që firmat ekzistuese të rriten, të bëhen më produktive ose të dalin nga tregu, dhe për firmat e reja të dalin dhe të arrijnë ose të dështojnë shpejt dhe lirë”.

Kështu shkruan “Brookings” në një artikull kushtuar integrimit ekonomik dhe avantazheve që do të sjell për standardin e jetesës të vendeve të Ballkanit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonomitë e vogla të Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë), të cilat vazhdojnë të mbeten prapa niveleve të të ardhurave të arritura nga vende të tjera me madhësi të ngjashme, por në përgjithësi me ekonomi më të hapura.

Siç tregohet në figurën më poshtë, midis vendeve të vogla në Evropë dhe Azinë Qendrore, të ardhurat e larta për frymë lidhen ngushtë me hapjen e tregut. Ndërsa popullsia rritet, lidhja midis hapjes së tregut dhe të ardhurave të larta për kokë banori dobësohet. Megjithatë, edhe për një ekonomi me madhësi të Serbisë, duke ndjekur rrugën e zhvillimit të ekonomive të hapura si Hungaria, Belgjika dhe Republika Çeke është një opsion premtues.

Ndërsa gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim të madh drejt hapjes së ekonomive të tyre që nga rënia e perdes së hekurit, ata vazhdojnë të ndjekin kolegët rajonalë. Në mënyrë tipike, ndërsa ekonomitë e vogla bashkohen në radhët e vendeve me të ardhura të larta, eksportet zgjerohen drejt 100 përqind të të ardhurave kombëtare ose më shumë.

Sidoqoftë, në Ballkanin Perëndimor, raporti mesatar i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve ndaj GDP-së është rreth 40 përqind në vitin 2017 (rreth 25 përqind në vitin 2000 dhe 30 përqind në vitin 2010). Shifra të cilat mbeten prapa niveleve të arritura nga Letonia (rreth 60 përqind), Qipro (rreth 65 përqind) dhe Estonia (rreth 80 përqind); vende të ngjashme në madhësinë e popullsisë, por që kanë arritur në mënyrë të konsiderueshme të ardhura më të larta për banor në dy dekadat e fundit.

Çfarë po e pengon Ballkanin Perëndimor? Pjesërisht, janë faktorë të trashëgimisë historike, të tilla si një bazë prodhuese relativisht e kufizuar që tani duhet të kujdeset dhe inkurajoj rritjen ekonomike si edhe konfliktet që kanë prekur tregtinë rajonale. Megjithatë, politikat dhe institucionet luajnë një rol kyç dhe mund të bëhet shumë për t’i përmirësuar të dyja.

Në 2017-ën, duke njohur potencialin e integrimit ekonomik si një mjet për rritjen ekonomike, Ballkani Perëndimor nisi një Plan të Përbashkët Veprimi Shumëvjeçar (MAP) për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale (REA). Kjo nismë promovon integrimin ekonomik rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe harmonizon kuadrin ligjor rajonal dhe infrastrukturën me kërkesat për pranimin eventual në BE, duke ndihmuar integrimin e plotë në zinxhirët e vlerës së unionit. MAP mbulon katër dimensione të integrimit ekonomik: tregtinë, investimin, lëvizshmërinë dhe integrimi digjital.

Progresi është arritur që nga miratimi i MAP dhe është thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë me zbatimin e tij. Përveç përmirësimit të infrastrukturës dhe përafrimit të tarifave, nevojiten ulje të pengesave të jashtme për tregtinë, duke përfshirë procedurat e thjeshtuara të kalimit kufitar. Kornizat kombëtare të investimeve duhet të përafrohen për të ofruar qasje të paanshme në një treg rajonal me pengesa të reduktuara për hyrjen e investitorëve, mbrojtje më të mirë të investitorëve, politika të efektshme për tërheqjen e investitorëve dhe ndoshta më e rëndësishmja, pozicionimin më të mirë të rajonit për integrim në zinxhirët e furnizimit global.

Për ta bërë Ballkanin Perëndimor një propozim më tërheqës për punëtorët me kualifikim të lartë, iniciativat kryesore përfshijnë lëvizjen më të thjeshtë për kërkuesit; njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, të tilla si ato të mjekëve, dentistëve, arkitektëve dhe inxhinierëve, si dhe njohjen reciproke të kualifikimeve akademike. Së bashku me reformat kombëtare të arsimit, këto masa mund të ndihmojnë në trajtimin e hendekut të aftësive rajonale dhe të ndihmojnë punëtorët të kalojnë në vendet me kërkesa të larta pune.

Së fundmi, Ballkani Perëndimor mund të shfrytëzoj mundësitë e krijuara nga revolucioni dixhital. Kjo do të përfshijë eliminimin e tarifave rajonale të roaming-ut, një qasje të unifikuar për sigurinë dixhitale dhe mbrojtjen e të dhënave.

Synimet janë të mëdha, por integrimi ekonomik mund të jetë çelësi i standardeve më të larta të jetesës që Ballkani Perëndimor aspiron. Të ardhurat për frymë në Ballkanin Perëndimor janë ende vetëm 28 përqind e Gjermanisë; me ritmet e rritjes aktuale, do të duhen pesë dekada që rajoni të arrij standardin aktual të jetesës të Gjermanisë. Nevojiten mundësi të reja për të përshpejtuar rritjen, që do të thotë tejkalimin e tregjeve kombëtare të vogla dhe të fragmentuara. Me një vizion të përbashkët për të siguruar stabilitetin makroekonomik, për të kryer reforma të guximshme përtej kufijve dhe për të rritur integrimin ekonomik, Ballkani Perëndimor ka një shans për të përshpejtuar rritjen, për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të përfituar nga ekonomia e re globale.