Vula e Brukselit, vetëm zhdukja e kësaj klase politike e integron Shqipërinë në Bashkimin Europian


Lajm i zi për shqiptarët, asnjë pushtetar i dënuar për korrupsionin, pasuritë e kapove të drogës nuk janë sekuestruar, korrupsioni ka pushtuar çdo sektor, qeveria ka rritur fshehtas borxhin e jashtëm, PD-LSI tentuan të sabotojnë reformën në drejtësi .

Komisioni Evropian, në progres-raportin e radhës për Shqipërinë, ka shpallur edhe një herë klasën politike shqiptare si të keqen, sëmundjen dhe fatkeqësinë më të madhe të kombit shqiptar.

Pavarësisht rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave, mesazhi i Brukselit është i qartë për Shqipërinë dhe shqiptarët: Pa shporrur këtë klasë politike dhe dërguar atë para togave të zeza për krimet ekonomike dhe njerëzore, gjatë 27 viteve të pluralizmit, Shqipëria nuk do të integrohet në Bashkimin Evropian.

Nuk ka as shpikje dhe as eksperiment me Shqipërinë. Thjeshtë kërkohet që të përsëritet historia me Kroacinë dhe Rumaninë, të cilat u bënë pjesë e BE pasi dënuan me burg kryeministrat, ministrat, kryebashkiakët, deputetët, prokurorë dhe gjyqtarë, për korrupsion dhe plaçkitje të pasurive publike.

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë është një lajm i zi për shqiptarët, por ky raport ka çjerrë edhe një herë maskën e politikës shqiptare.

Raporti konstaton se nuk është dënuar asnjë pushtetar, ndërsa nën qeverisjen e Edi Ramës, korrupsioni është përhapur në çdo sektor.

Raporti konstaton: “Shkalla e dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet në përgjithësi shumë e ulët.

Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë dhe vazhdon të jetë një problem serioz”. Nga ana tjetër, sipas raportit, Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha kanë tentuar që të sabotojnë reformën në drejtësi, duke arritur që të zvarrisin Vetingun.

Raporti konstaton: “Aktivitetet parlamentare janë cenuar nga një bojkot i gjatë nga opozita në fillim të vitit 2017, çka shtyu në kohë gjithashtu edhe ngritjen e institucioneve të Vetingut të Drejtësisë”.

Pra, raporti thotë se qeveria është e korruptuar, ndërsa opozita është kundër ndëshkimit të korrupsionit, pasi ka qenë vetë e korruptuar më parë. Mesazhi është i qartë, se pa futur në burg peshkaqenët e korrupsionit nuk ka integrim. Raporti ua bën edhe një herë të qartë shqiptarëve se armiku më i madh i tyre është kjo klasë politike.

Panorama është e zymtë edhe sa i përket luftës kundër krimit dhe drogës. Raporti konstaton se nuk janë sekuestruar pasuritë e kokave të krimit dhe nuk ka dënime. Raporti: “Shqipëria duhet të arrijë rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe duke vazhduar shkatërrimin e të gjithë sasive stok të kanabisit.

Sa u përket të dhënave, ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara.

Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimit të organizuar ka mbetur shumë i ulët dhe është rritur vetëm pak. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar”.

Konstatimi më i rëndë i raportit të Komisionit Evropian ka të bëjë me rritjen e borxhit të jashtëm nga kjo qeveri, në nivelin rekord 73.5 %.

Qeveria ka rritur borxhin e jashtëm duke u lënë shqiptarëve një minë me sahat në kurriz. Paratë e marrë borxh nuk kanë sjellë zhvillim, por kanë përfituar në xhepat e kësaj klase kriminale politike./Pamfleti.com